Kombëtarja e Kosovës e pati një tronditje të madhe para dy ditësh.
Federata e Futbollit njoftoi se, në koordinim me trajnerin Franco Foda, i ka përjashtuar tre lojtarë, më saktësisht Edon Zhegrova, Arijanet Muriç dhe Florent Muslija, për arsye se i thyen rregullat duke dalë nga hoteli, për të përfunduar në një bar-restaurant.
E skandalet në kampin e Kombëtares duket se nuk kanë të sosur.
Gazetari sportiv, Arlind Sadiku ka njoftuar se njëri prej futbollistëve të përjashtuar, në kushte anonimiteti, e ka pranuar se kryetari i FFK-së, Agim Ademi i ka kërcënuar që të tre, duke iu thënë: “ua thej këmbët, ua prishi karrierën”.
Një version i tillë ka qarkulluar në dy ditët e fundit në terren, por që tash një gjë të tillë e konfirmon edhe njëri prej futbollistëve të përjashtuar.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës në njoftimin e saj ka thënë tutje se për treshen e përjashtuar do të vendosur Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në ditët në vazhdim, që nënkupton se dënimi i Edon Zhegrovës, Aro Muriçit dhe Florent Muslijiës mund të jetë më i rëndë.
Daljet e lojtarëve nga kampi i Kombëtares thuhet se kanë qenë të shpeshta, për të mos thënë në çdo grumbullim të Dardanëve.
Mirëpo, vetëm në rastin e fundit FFK-ja vendosi t’i përjashtojë tre lojtarë dhe atë vetëm një ditë para lojës me Qipron.
“Ua thej këmbët”, gazetari kosovar thotë se Agim Ademi i kërcënoi lojtarët e Kombëtares / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.