Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, pas takimit informal të mbajtur në Shëngjin, ku për dy ditë u diskutuan me dyer të mbylluar prioritetet e 2024 dhe puna e 2023 ka zhvilluar një konferencë për mediet.
Lidhur me ngërçin e krijuar mes opozitës dhe mazhorancës, nëse kjo e fundit nuk plotëson kërkesat e tyre, Rama tha se nuk do të pranojnë forcën dhe dhunën.
Sakaq, i pyetur se si do t’i sigurojnë 84 vota që duhen për kalimin e disa ligjeve që kanë ngecur Rama tha: Është e padrejtë që njerëzit që duhet të dalin nga burget për të gjitha aryset që parashikon amnistia dhe për nevojën e uljes së mbingarkesës së burgje sespe është një kosto, nuk e meritojnë që të vazhdojnë aty brenda si viktima të keqkuptimeve poltitike. Por nuk ka asnjë shans që kjo të na bëjë ne të pranojmë keqkuptimin, të pranojmë që ushtrimi i forcës fizike, përdorimi i krahëve, i këmbëve, i duarve si instrumenete force të na imponohet për argumenet me të cilat ne nuk jemi dakord. E njëjta gjë dhe për Reformën Zgjkedhore. Ka një afat komisioni, do mbarojë komisioni dhe do bëjmë edhe pa komision. Komisioni nuk është një normë kombëtare as evropiane.
Një prej ligjeve të pamiratuara është amnistia, e cila mbërriti në parlament në fillim të muajit dhjetor dhe nga e cila përfitojnë ulje dënimi apo liri rreth 600 persona. Tradita parlamentare ka treguar se ligjet e amnistisë janë miratuar para festave të fundvitit, por më 2023 nuk ndodhi. Një ligj tjetër që mbeti në parlament është drafti që rrit pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në 6.4 milionë lekë, i cili sërish kërkon konsensusin e 84 deputetëve, në një kohë që mazhoranca numëron vetëm 77.
Në këtë rast edhe gatishmëria e Lulzim Bashës dhe deputeteve të tij nuk e ndihmoi qeverinë të miratonte rritjen e pagave. Pas dy përpjekjeve të dështuara për të arritur numrin e 84 votave pro, ligji as nuk është futur më në rendin e ditës në séancë plenare.
Në klimën e tensionuar politike në parlament nuk po diskutohet më as për avokatin e popullit. Erinda Balancës i ka mbaruar mandati para 19 muajsh, por zgjedhja e pasardhësit të saj duket gjithnjë e më vështirë për një figurë që duhet të ketë konsensusin e opozitës dhe mazhorancës./vizionplus.tv