Shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, është i ftuari i parë i ministrit të Jashtëm, Timco Mucunski. Fidan nga Shkupi i bëri thirrje Qeverisë së re në vend që të ndihmojë në luftën kundër, siç thotë ai, organizatës terroriste FETO, e cila qëndron pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit në Turqi nga viti 2015.
Ministri turk tha se do të mbështesë krijimin e Këshillit të Lartë Strategjik për bashkëpunim ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë, si dhe rritjen e tregtisë në mbi dy miliardë dollarë.
“Njëkohësisht, me qeverinë e re, besojmë se do të ketë një qasje më të ndjeshme në fushën e luftës kundër terrorizmit, të udhëhequr nga FETO, sepse FETO nuk është kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për të gjitha vendet ku është i pranishëm. Sa i përket luftës kundër kësaj organizate terroriste, presim që Maqedonia e Veriut të ofrojë mbështetje më të fortë në luftën kundër FETO-s”, u shpreh Fidan
Ai paralajmëroi edhe më shumë stërvitje ushtarake ndërmjet ushtrive të dy vendeve, si dhe pret që të kultivohen të drejtat e komunitetit turk në Maqedoni.
Ministri Mucunski, nga ana tjetër, falënderoi për ndihmën e dhënë gjatë zjarreve të fundit dhe tha se të dy kanë biseduar edhe për rrugën e integrimeve europiane.
“Në veçanti, e njoha kolegun tim me pozitën aktuale të shtetit në lidhje me procesin e BE-së, duke vënë në dukje faktin se parashikueshmëria e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian është vetëm një çështje procedurale, por është një gurthemeli i stabilitetit dhe progresit tonë”, tha Mucunski.
Ministri turk në Shkup: FETO është e rrezikshme për çdo vend, presim qasje të re me Qeverinë e re të RMV-së appeared first on Telegrafi.