Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, ndodhet në një vizitë zyrtare në Letoni. Në një konferencë për mediat, presidenti Begaj, deklaroi se fokusi i bisedimeve gjatë kësaj vizite ishin qëllimet e përbashkëta strategjike të dy vendeve si dhe mbështetja e vlerave europiane.
“Sot, ne jemi aleatë në NATO, dhe së shpejti, ëndërrojmë dhe synojmë të jemi së bashku në BE. Sigurisht që Shqipëria dhe Letonia gëzojnë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe dhe kemi zhvilluar një dialog politik të shkëlqyer që ndan të njëjtat qëllime strategjike dhe mbështet vlerat europiane të përbashkëta.
Dialogu ynë politik ekzistues duhet të inkurajojë bashkëpunim më konkret dypalësh dhe shumëpalësh në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë për përfitimet e qytetarëve tanë, duke përfshirë ekonominë, shkëmbimet tregtare, turizmin, shkëmbimet kulturore dhe të të rinjve etj. Jam i bindur se diskutimet e frytshme të sotme do të ndihmojnë të ecim shpejt dhe me guxim në atë drejtim”, tha ai.
Po ashtu, presidenti Begaj shtoi se si aleatë të NATO-s, Shqipëria dhe Letonia bashkëpunojnë ngushtë në mbrojtje dhe siguri. Gjithashtu, Begaj vlerësoi rolin e Letonisë sa i përket misionit të KFOR në Kosovë.
“Gjithashtu vlerësojmë kontributin e Letonisë me trupa në misionin e KFOR- it në Kosovë, duke theksuar se KFOR luan një rol jetik në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kontributi dhe shërbimet e ushtarëve tuaj vlerësohen lart nga ne”, shtoi Begaj.
Ai falenderoi Letoninë për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme që jepni për zgjerimin e BE-së dhe veçanërisht për integrimin e Shqipërisë në BE. Po ashtu theksoi se anëtarësimi në BE mbetet prioriteti strategjik i Shqipërisë./vizionplus.tv