Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë shprehën sot shqetësimin për kolapsin e mundshëm të kujdesit spitalor në Gazën jugore dhe qendrore. Stafi mjekësor dhe pacientët janë larguar nga objektet spitalore për të shpëtuar jetën e tyre.
Vetëm rreth një e treta e spitaleve të Gazës funksionojnë në një farë mënyre dhe disa vetëm pjesërisht, në enklavën e shkatërruar pas muajsh bombardimesh izraelite si pjesë e fushatës ushtarake kundër Hamasit në përgjigje të sulmeve të 7 tetorit.
Luftimet janë intensifikuar në pjesët qendrore dhe jugore të vendit, duke rritur presionin mbi spitalet tashmë të mbipopulluara që mbeten të hapura.
“Ajo që ne po shohim është vërtet shqetësuese rreth Spitalit Al-Aksa dhe një rritje e armiqësive shumë afër Spitalit Evropian në Gaza dhe shumë afër Nasser (spitalit)”, tha Sean Casey, koordinatori i ekipeve të reagimit mjekësor emergjent i OBSH-së në Gaza gjatë një konference për shtyp.
“Ne nuk mund t’i humbim këto objekte mjekësore. Ato duhet të mbrohen me çdo kusht. Kjo është linja e fundit e kujdesit shëndetësor dytësor dhe terciar që ka Gaza, nga veriu në jug njëri spital pas tjetrit po humbet,” tha ai.
Sipas tij, pacientët aktualisht po rrezikojnë jetën e tyre për t’u pranuar në spitalet në qytetin jugor të Khan Yunis për shkak të përplasjeve të vazhdueshme.
Gjatë një vizite në Al Aqsa në Gazën Qendrore dy ditë më parë, Casey zbuloi se 70% e stafit kishin braktisur postet e tyre. Po atë natë, qindra pacientë u larguan nga spitali, shtoi ai.
Shumë punëtorë në Spitalin Nasser në Khan Younis u larguan së bashku me qindra mijëra banorë të Gazës që janë grumbulluar në strehimore në pjesën më jugore të Rripit të Gazës, tha zyrtari.
Dhe atje, siç theksoi ai, ka vetëm një mjek për më shumë se 100 viktima.
“Ajo që ne vazhdojmë të shohim është se sistemi shëndetësor po prishet, punonjësit e kujdesit shëndetësor nuk janë në gjendje të shkojnë në vendin e tyre të punës për t’u kujdesur për pacientët sepse kanë frikë për jetën e tyre…Pacientët dhe familjet e tyre kanë frikë të shkojnë në spital sepse ata mund të vriten gjatë rrugës. Ne shohim që sistemi shëndetësor po shembet me ritme shumë të shpejta”.
Rick Pieperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, tha në të njëjtën konferencë se po bëhet më e vështirë për OBSH-në të dërgojë furnizime mjekësore brenda Gazës./vizionplus.tv