Statusi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka ngjallur një sërë diskutimesh. Shkak për këtë është bërë një deklaratë e drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, i cili në një intervistë për mediat serbe tha se numri i punëtorëve shqiptarë në Komunën e Bujanocit është rritur nga 15 në 280. Këto fjalë ai i përdori për të argumentuar se Serbia ka bërë përpjekje për integrimin e shqiptarëve dhe se kërkesat e tyre politike janë “të pabaza”.
Pas kësaj deklarate, ka ardhur edhe reagimi i Shaip Kamberit, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb, i cili e ka quajtur deklaratën raciste dhe përçmuese.
Sipas Kamberit, Mitroviq po injoron kërkesat legjitime të shqiptarëve dhe po kontribuon në institucionalizimin e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj tyre.
Kamberi kërkon që Mitroviq të publikojë numrin e shqiptarëve të punësuar në institucionet shtetërore dhe jo vetëm në ato komunale, dhe fton organizatat ndërkombëtare të ndërmarrin veprime për të ndaluar këtë trajtim diskriminues.
Ai gjithashtu sfidoi Mitroviqin dhe autoritetet serbe për të përmbushur marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendore që kanë për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në këtë rajon.
Sakaq, Kamberi u shpreh se protestat do të vazhdojnë dhe se shqiptarët do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre të ligjshme.
“Dikur ishin vetëm 15, sot janë 280 punëtorë shqiptarë në Komunën e Bujanocit, paska deklaruar Nenad Mitroviq, në një televizon në Beograd, duke komentuar situatën në Luginë të Preshevës pas protestës së shqiptarëve për të drejta, të mbajtur më 12 gusht.
Me këtë, ai paska tentuar të dëshmojë se Serbia ka punuar në integrimin e shqiptarëve dhe se kërkesat politike të shqiptarëve “janë të pabaza”. Në të njejtën kohë, duke potencuar se edhe komuna e Bujanocit është pjesë e institucioneve të Serbisë, për punësimet në komunë, meritat ia paska dhënë shtetit.
Vetë deklarata e Mitroviqit se mjafton që shqiptarët janë të integruar në Komunë është raciste. Sepse në prapaskenën e saj, ai sinjalizon se “shqiptarët nuk janë të denjë për ushtrimin e funksioneve në shtetin serb”.
Duke e komentuar pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës me fjalorin e viteve të 90-ta, Mitroviq dëshmon qartë se shteti serb ka për qëllim të vazhdojë diskriminimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Mohim, shpifje mashtrim e kërcënim janë qëndrimet kryesore të intervistës së tij”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Kamberit./vizionplus.tv