Sëmundja e murtajës te kafshët është kthyer në një problem shqetësues për rajonin. Aktualisht, Greqia dhe Rumania kanë deklaruar se mijëra kafshë janë prekur nga sëmundja e murtajës, duke krijuar shqetësime serioze edhe në shtete të tjera përreth, përfshirë Shqipërinë.
Nisur nga situata e krijuar, qeveria greke ka shtyrë me një javë masat kufizuese që ndalojnë therjen dhe transportimin e kafshëve.
Deri më tani, në shtetin grek kanë ngordhur 13 mijë kafshë si pasojë e kësaj sëmundjeje.
Ministri grek i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, Kostas Tsiaras, theksoi se lidhur me këtë situatë do të vërë në dijeni edhe ministrat e Bujqësisë dhe Peshkimit të BE-së, nga të cilët do të kërkojë të diskutohet për çështjen e murtajës, si dhe masave të përbashkëta që duhen ndërmarrë.
Sipas të dhënave të autoriteteve greke në të gjithë territorin, janë 1991 ferma dhe kontrolli i kafshëve është përfunduar në 1723 prej tyre, ndërsa në 208 ferma të tjera procedura ka mbetur pezull.
Por të dhëna shqetësuese paraqiten edhe në Rumani ku 210 mijë kafshë kanë ngordhur si pasojë e murtajës. /vizionplus.tv