Dy shtetas të dënuar/akuzuar për vepra penale në fushën e krimeve kundër pasurisë dhe pronës dhe një shtetas i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal që falsifikonte dokumente, janë ekstraduar respektivisht nga Italia dhe Zvicra.
Nga Italia u ekstradua shtetasi Salvatore Castorina alias Andrea Di Dip alias Salvatore Cascino dhe u ekstradua nga Zvicra shtetasi Xhelal Krasniqi.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan nga Italia në Shqipëri, shtetasit:
-S. C. alias A. D. alias S. C., 50 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shtetasi italian S. C., gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive, për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.
-Enea Korreshi, 31 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bern, Zvicër, u ekstradua drejt Shqipërisë, shtetasi Xh. K., 39 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.
Shtetasi Xh. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së. /vizionplus.tv