Sipas një studimi, një faktor kyç që mund të pengojë gatishmërinë e fëmijëve për kopshtin mund të jetë diçka në dhomat tona të jetesës.
Siç pretendon ky studim, fëmijët që shikojnë shumë televizor, ose kalojnë shumë kohë para ekraneve në përgjithësi, janë më pak të gatshëm për shkollë sesa fëmijët që nuk e bëjnë këtë.
“Duke pasur parasysh se studimet kanë treguar se fëmijët shpesh shikojnë shumë më tepër kohë sesa rekomandohet, kombinuar me dominimin e teknologjisë në jetën tonë të përditshme me telefonat inteligjentë dhe tabletë, koha që fëmijët kalojnë para një ekrani është më shumë se çdo herë tjetër”, tha studiuesi kryesor, psikologu Andrew Ribner.
Për hulumtimin e ri, ekipi i Ribner studioi gatishmërinë shkollore të më shumë se 800 parashkollorëve, duke testuar aftësitë e tyre të të menduarit, kujtesës, matematikës dhe gjuhës, si dhe aftësitë social-emocionale.
Sipas rezultateve të hulumtimit, shikimi i më shumë se 2 orë televizor në ditë lidhet me aftësi të kufizuara, veçanërisht për fëmijët nga familjet me të ardhura të ulëta. Për këtë arsye, studiuesit rekomandojnë që prindërit të kufizojnë shikimin e televizorit të fëmijëve të tyre në më pak se 2 orë në ditë.
Edhe pse ata nuk mund të gjenin një lidhje shkakësore midis të ardhurave të familjes së tyre dhe nivelit të aftësive të fëmijëve, studiuesit vërejnë se studimet e mëparshme sugjerojnë se fëmijët nga familjet me të ardhura më të larta priren të shikojnë më shumë programe edukative në televizion dhe më pak argëtuese. Gjithashtu, prindërit e tyre kanë më shumë gjasa të kenë më shumë kohë për të parë TV me ta dhe kështu të diskutojnë dhe ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se çfarë po shohin.
“Gjetjet tona sugjerojnë se rrethanat në të cilat një fëmijë shikon televizor mund të ndikojnë në efektet që ai ka dhe aftësitë e të mësuarit”, tha bashkëautorja e studimit Carolyn Fitzpatrick nga Universiteti Saint Ann në Kanada. /vizionplus.tv