Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani po raporton ditën e sotme në Kuvend lidhur me veprimtarinë e SPAK.
Ai ka nënvizuar mungesën e kallëzimeve nga institucionet publike, si një nga problematikat me të cilat përballet Prokuroria e Posaçme. Gjithashtu Dumani ka renditur disa nga problematikat kryesore të SPAK, të cilat tha se shpreson të marrin zgjidhje nga Kuvendi.
Dumani: Kemi paraqitur disa shqetësime të cilat shpresoj të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje nga Kuvendi, të tilla si mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës së shtuar ndaj drejtuesit të SPAK mbi çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencave të komisionerëve publikë, shtimi i numri të hetuesve të BKH, numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura.
Sa i takon hetimeve të vitit 2023, Dumani tha se kanë treguar sofistiminin e grupeve kriminale shqiptare në tregjet botërore. Në Shqipëri këto grupe janë më aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri etj.
Dumani: Hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale janë sofistikuar dhe përfshihen në tregun ndërkombëtar të trafikut të drogave të forta duke pasur dhe kontrolluar trafikun në cikle të mbyllura dhe duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës. Këto grupe kriminale janë aktive kryesisht në Amerikën e Jugut, Britaninë e Madhe por edhe në rajon. Duhet cilësuar si shqetësim edhe veprimtaria e grupeve klriminale të cilët opercojnë përmes call centerave dhe duke mashtruar shtetas të BE. Dëmi që i shkaktohet viktimave shkon në miliona euro. Analiza e tregjeve krimianele në Shqipëri tregon një situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare grupet merren me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është evidentuar në Durrës, Shkodër, Tiranë, Laç dhe Fushë-Krujë. Vrasjet dhe tentativatë për vrasje janë më të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë-Krujë është e pranishme tregtia e armëve./vizionplus.tv