Në Uashington vazhdon Samiti i NATO-s, me rastin e shënimit të 75 vjetorit të formimit të Aleancës në vitin 1949. Tema kryesore janë sigurimi i mbështetjes së qëndrueshme për Ukrainën, planet për parandalimin dhe mbrojtjen e anëtarëve të Paktit, forcimi i industrisë dhe investimeve të mbrojtjes dhe forcimi i partneriteteve globale.
Sekretari i përgjithshëm në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi mbrëmë se pret që në Samit të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e Aleancës, si dhe vendime për forcimin e mëtejshëm të ndihmës për Ukrainën.
Në Samit merr pjesë edhe delegacioni qeveritar i Maqedonisë me në krye kryeministrin Hristjan Mickoski, në përbërje të së cilës janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Në Uashington është edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi i cili po merr pjesë në Samitin parlamentar të NATO-s.
Janë planifikuar një numër i madh i takimeve bilaterale me burështetasit e vendeve anëtare të Aleancës, por mbetet e paqartë nëse në margjinat e Samitit, Mickoski do të takohet me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis i cili po ashtu merr pjesë në Samit.
Kryeministri Mickoski para udhëtimit për në Uashington lidhur me takimin e mundshëm me homologun e tij grek, shfaqi shpresën se nëse ndodhë kjo “do ta ruajnë dinjitetin dhe se do të bisedojnë si partnerë dhe si fqinjë të mirë”.
Drejtori i Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe media të kryeministrit grek, Panos Amiras në intervistën për televizionin shtetëror ERT theksoi se nuk është planifikuar takimi i dy kryeministrave, raportoi korrespondentja e AIM-s nga Athina.
“Sigurisht që do të ngrihet edhe çështja e shkeljes së dispozitave bazë të Marrëveshjes së Prespës nga shteti fqinj. Nuk e di për ndonjë takim të planifikuar me kryeministrit e Maqedonisë së Veriut. Nuk e di nëse do të ndodhë, por sigurisht nuk ekziston diçka që nuk është planifikuar nga pala greke”, tha Amiras.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë greke Pavlos Marinakis tha se kryeministri grek në samitin e NATO-s, “do ta ngrit në nivelin më të lartë” respektimin e Marrëveshjes së Prespë, diçka që edhe vetë Mitsotakisi e paralajmëroi në intervistat dhe në deklaratat në periudhën e kaluar .
“Ai do ta ngrejë çështjen në nivelin më të lartë. Ai do të përmendë Marrëveshjen që nuk po respektohet, veçanërisht çështjen me emrin kompleks erga omnes. Ai do të përmend një sërë deklaratash që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës, pra në kundërshtim me atë që është votuar nga të dy vendet, sepse siç e kuptoni prezenca e Maqedonisë së Veriut në NATO është rezultat i kësaj marrëveshjeje, por shteti ynë fqinj nuk e respekton as faqen e parë të kësaj Marrëveshjeje dhe është diçka që kuptohet që do ta iniciojë Kyriakos Mitsotakis”, tha Marinakis.
Në kuadër të vizitës në SHBA, Mickoski ka realizuar dje më shumë takime bilaterale me përfaqësues të lartë amerikan në Uashington, ndërsa mbajti ligjëratë në Universitetin prestigjioz Xhon Hopkins në Baltimor ku foli për fillimin e negociatave me BE-në, duke theksuar se nuk kemi garanci për një kërkesë përfundimtare në bisedimet me Bullgarinë.
Dita e dytë e Samitit të NATO-s, mbetet i pasigurt takimi Mickoski- Mitsotakis appeared first on Telegrafi.