Lideri i opozitës Sali Berisha ka folur për herë të parë para mbështësëve të tij, 4 ditë pasi Gjykata vendosi ta izolojë në shtëpi.
Nga dritarja e shtëpisë së tij, ish-kryeministri Berisha u përcolli demokratëve mesazhin se asnjë vendim gjykate nuk mund ta ndalojë atë të komunikojë me ta.
Berisha shpjegoi se gjatë këtyre ditëve nuk ka mundur të flasë me demokratët për shkak se ka qenë i sëmurë me grip.
“Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do ta bëj më ndonjëherë”, tha Berisha.
Sipas Berishës gjykata nuk mund t’i heqë atij lirinë ë fjalës, të cilën e garanton Kushtetuta.
“Kushtetuta ka një nen të saj, ka nenin 17, në të cilin përcakton se nuk ka kryeministër, nuk ka gjykatës, nuk ka prokuror që mund të mohojë lirinë e shprehjes. Ajo ndodh vetëm me ligj, por horat ligj nuk kanë, horat moral nuk kanë”, tha Berisha.
Lideri i opozitës sulmoi ashpër prokuroret e SPAK-ut të cilët po e hetojnë.
“Ata janë hanxharët, ata janë shndërruar në veglat mjerane, mbështetësit më kryesorë të diktaturës në Shqipëri, mashtrues mjeranë që punojnë nga mëngjesi deri në darkë vetëm për pushtetin e Edi Ramës.
Por ne kur nuk na impresionon Edi Rama, nuk ka pse na impresionojnë larot e tij, në Skap dhe kudo qofshin ata”, shtoi Berisha.
Ish-kryeministri Berisha ftoi demokratët që të vazhdojnë aksionin e mosbindjes civile në të gjithë vendin deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
“Ne do të fitojmë, fitore, fitore”./vizionplus.tv