Platformat dhe aplikacionet digjitale për kryerjen e pagesave po përdoren gjithnjë e më shumë nga qytetarët në vendin tonë. Nga të dhënat e bankave që disponon Banka Popullore (nga viti 2017 deri në vitin 2023), vërehet një trend i qartë i rritjes së vazhdueshme dhe përdorimit të instrumenteve pa para për kryerjen e pagesave në krahasim me tërheqjen e parave të gatshme nga bankomatët apo sportelet bankare.
Nga Banka Popullore për gazetën KOHA thanë se të dhënat e fundit për vitin 2023 tregojnë se numri i transaksioneve të pagesave pa para në vend u rrit me 12.4 për qind krahasuar me vitin 2022 dhe arriti në 218 milionë transaksione pagesash, me një rritje të njëkohshme prej 20.0 për qind të vlerës së këtyre transaksioneve. Njëkohësisht, rritje më e theksuar prej 17.3 për qind është shënuar te pagesat me kartela pagese, e cila vjen si pasojë e rritjes më të madhe të pagesave në pajisjet terminale POS (18.0 për qind) dhe rritjes solide të numrit të transaksioneve të pagesave elektronike në pikat e shitjes tregtare (11.3 për qind). “Të dhënat për tërheqjen e parave të gatshme nga sportelet bankare tregojnë për një rënie konstante të numrit të transaksioneve në 8 vitet e fundit (ulja më e madhe është shënuar në vitin 2020 prej 27.5 për qind), me përjashtim të vitit 2022 kur për shkak të normalizimi i situatës pas pandemisë Kovid shënoi një rritje prej 10.4 për qind, por lëvizja në rënie e tërheqjeve të parave në sportele vazhdoi në vitin 2023. Tendenca e përgjithshme e rënies së transaksioneve për tërheqjen e parave nga sportelet, përveçse tregon praktike të ATM-ve për sigurimin e cash-it (rritja mesatare vjetore për 8 vitet e fundit është 1.82 për qind), tregon edhe ndryshimin e zakoneve të qytetarëve për rritja e përdorimit të instrumenteve pa para për ekzekutimin e pagesave” theksoi Banka Popullore.
Nga atje shtojnë se në vendin tonë, pavarësisht trendit të qartë dhe pritshmërive për rritje të pagesave pa para në të ardhmen, qytetarët dhe kompanitë do të vazhdojnë të përdorin paranë në dorë për të kryer pagesat sipas nevojave dhe preferencave të tyre.
“Banka Popullore, së bashku me palët e tjera të interesit në vend, merr pjesë aktive në krijimin e një kuadri të përshtatshëm ligjor që, ndër të tjera, njeh plotësisht teknologjitë dhe risitë në pagesa. Kështu, ne tashmë kemi një bazë të shëndoshë për inkurajimin e pagesave pa para, siç janë pagesat online. Një nga përfitimet më domethënëse të kuadrit të ri ligjor në sferën e pagesave është hapja e tregut për hyrjen e ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave krahas bankave, pra të institucioneve të specializuara të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike për të cilat, mbi të gjitha, teknologjia dhe inovacioni janë të domosdoshme për të krijuar modelet e tyre të biznesit”, shtuan nga Banka Popullore.
Gjithashtu, ata njoftuan se me kuadrin e ri ligjor, më konkretisht me Ligjin për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, ka edhe kufizim të masës së tarifave që bankat ngarkojnë ndërmjet tyre, gjë që ndikon në uljen e tarifave që paguajnë tregtarët për përdorimin e pajisjeve të tyre elektronike. “Shuma e këtyre tarifave ndërbankare u kufizua në 1 për qind për herë të parë me fillimin e zbatimit të Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave nga janari 2023, me detyrim për ulje graduale deri në fillim të vitit 2025, nuk duhet të jetë më e lartë se 0.2 për qind e vlerës së transaksionit të pagesës të kryer me kartë debiti, pra nga 0.3 për qind për një kartë pagese krediti. Prandaj, pritshmëritë se kjo do të inkurajojë përdoruesit e shërbimeve të pagesave që të përdorin gjithnjë e më shumë metodat e pagesave elektronike, duke besuar në shpejtësinë, efikasitetin dhe sigurinë që ato ofrojnë, janë mjaft realiste, por gjithashtu do të inkurajojë një numër më të madh tregtarësh nga ana tjetër, për të vendosur pajisje elektronike ose kanale të tjera moderne dhe teknologjike për pranimin e pagesave” përfunduan nga Banka Popullore.
Ndryshe, kalimi nga nevoja për para në dorë në favor të pagesave pa para në dorë po ndodh me shpejtësi dhe dinamikë të konsiderueshme dhe arsyet janë përparimi teknologjik dhe digjitalizimi që mundësojnë lehtësinë dhe sigurinë e pagesave pa para kundrejt përdorimit të “cash-it”, si dhe blerjet online në nivel global. (koha.mk)
Maqedoni, rriten pagesat në mënyrë elektronike appeared first on Telegrafi.