Sot pasdite demokratët do të mblidhen sërish para shtëpisë së ish-kryeministrit Sali Berisha si një gjest mbështetje për liderin e opozitës.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar janë lajmëruar një ditë më parë që në orën 17.30 nis tubimi në rrugën “Mustafa Matohiti”, tubim që për demokratët është edhe një formë proteste ndaj vendimit të gjykatës për izolimin e liderit historik të PD.
Prej të shtunës kur Gjykata e Posaçme vendosi arrest në shtëpi për liderin e opozitës Berisha, selia e PD ka mbetur e zbrazur dhe demokratët janë zhvendosur në rrugën pranë baneses së ish-kryeministrit.
Edhe një ditë më parë mbështetesit e Sali Berishës qëndruan për disa orë para shtëpisë së liderit të opozitës. Vetë Berisha i përshëndeti ata nga dritarja, pasi vendimi i gjykatës i ndalon komunikimin me bashkëpunëtorët e tij politikë.
Në kushtet kur gjykata i ka ndaluar komunikimin me persona jashtë familjes, lideri i opozitës Sali Berisha ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të përcjellë mesazhet e tij politike./vizionplus.tv